Shkollë relativisht e re, por me një entuziazëm të zjartë duket Qendra Sportive Trajnuese “ES”. E formuar vetëm dy vite e gjysmë më parë, kjo shkollë e futbollit mes shumë aktiviteteve tjera, tashmë zyrtarisht konfirmon pjesëmarrjen për herë të dytë në “DANA CUP 2023”.

“Qendra trajnuese sportive ‘ES’ edhe këtë vit ka marrë ftesë në turneun ‘DANA CUP 2023’ që zhvillohet në Danimarkë në qytetin Hjørring”, njoftojnë nga kjo shkollë e futbollit e cila tashmë ka në funksion edhe ekipin e seniorëve KF ‘ES’ që garon në Ligën Komunale të Tetovës me ambicie për inkuadrim në Ligën e Tretë.
Bëhet fjalë për turne shumë cilësor ndërkombëtar për mosha të reja i cili ka një traditë të gjatë dhe çdo vit grumbullon klube të ndryshme nga e gjithë bota, përfshi shkollat më të fuqishme në futbollin evropian. Turneu ka traditë 4 dekadëshe, pasi daton nga viti i largët 1982, vazhdimisht arrin të gurmbullojë mbi 1 000 klube nga 45 shtete nga e gjithë bota.
Qendra Sportive Trajnuese ‘ES’ në këtë turne do të merr pjesë me dy gjenerata futbollistësh edhe atë fëmijë të lindur në vitin 2007 (do zgjihen 20 futbollistë) dhe 2011 (14 lojtarë). Përzgjedhja e lojtarëve nuk do të bëhet vetëm nga anëtarët e “ES”-it, por do të zgjidhen futbollistë të talentuar dhe interesuar edhe nga klube tjera nga Tetova, Gostivari dhe Shkupi.
“Kjo ftesë për klubin tonë është një mundësi, privilegj por edhe përgjegjësi. Prandaj, që të jemi të gatshëm për prezantim sa më dinjitoz jo vetëm të klubit, por edhe vendit tonë, njoftojmë gjitha klubet e interesuara që të paraqiten me nxënësit më të mirë në gjeneratat 2007 dhe 2011”, shtojnë nga KF “ES”.
Pse duhet nxënësit e klubeve tjera të shkojnë në “DANA CUP” me ekipin “ES-Kamenjan?
Përvojë unike, gara me ekipet më të njohura nga Evropa e bota, mundësi të shumta që me paraqitje pozitive të tërhiqet vëmendja e skuadrave më prestigjioze!
“Inkurajojmë klubet dhe nxënësit e klubeve tjera nga gjithë vendi të bashkohen me ne për këtë turne të fortë ndërkombëtarë, sepse ju garantojmë përjetimin e një eksperience unike, pa përjashtuar mundësinë që performansa e tyre të bie në sytë e skautëve dhe klubeve të ndryshme nga e gjithë bota”, porosisin drejtuesit e Qendrës Sportive Trajnuese “ES”, vëllezërit Burim dhe Elmas Sinani.
Sipas njoftimit të “ES”-it, regjistrimi i fëmijëve ka nisur nga data 27 mars dhe do të vijojë deri më 20 prill 2023.
Edicioni i sivjetshëm i turneut tradicional ndërkombëtarë “DANA CUP 2023” do të mbahet ndërmjet datave 24 dhe 29 Korrik, ndërsa udhëtimi i Qendrës Sportive Trajnuese “ES” është paraparë për datën 22 Korrik.





