Sportmania mëson ekskluzivisht se prishtinasit Mentor Mazrekaj është afër akordit me Strugën.

Skuadra kampione e Maqedonisë së Veriut duket e bindur për të ribashkuar për të tretën herë dyshën Duro-Mazrekaj. Trajneri i Strugës dhe sulmuesi anësorë nga Prishtina kanë punuar bashkë te Partizani i Tiranës, ndërsa dy vite më parë kur futbollisti ishte tërhequr përkohësisht nga futbollit, pikërisht me insistim dhe besim të Shpëtim Duros, ai vazhdoi karrierën te Laçi, duke u shndëruar në lider të ekipit që do të sillte rezultate pozitive në kampionatin shqiptar dhe në eliminatoret e Kupave të Evropës.
Tani në horizont shfaqet mundësia e rradhës për bashkëpunim Duro-Mazrekaj.
34 vjeçari ditë më parë komunikoi në rrjetet e tij sociale ndarjen me Laçin, që nënkupton se tashmë si lojtar i lirë mund të vendos për të ardhmen. Struga Trim&Lum duket e gatshme për të shfrytëzuar këtë mundësi dhe sipas informatave të Sportmanias, të premten lojtari duhet të qëndrojë në Strugë për bisedime përfundimtare para firmosjes së kontratës eventuale me kampionët e vendit.

