Në pritje të zhbllokimit të merkatos, FC Shkupi ka marrëveshje me 3 lojtarë të huaj (portier, mbrojtës dhe mesfushor), derisa priten edhe dy nigerianë.

Pas një periudhe të zymtë pas mbylljes së sezonit të kaluar, FC Shkupi duket se është në prag të kthesës pozitive. Pas largimit të drejtorit sportiv Nderim Nexhipi dhe disa futbollistëve, heshtja e zgjatur dhe pasiguria në klub kanë rritur shqetësimin e tifozerisë. Megjithatë, Sportmania ka siguruar informacione të rëndësishme që tregojnë për zhvillime konkrete në prapaskenë.
Sipas burimeve tona, drejtuesit e klubit janë duke punuar në kompletimin e skuadrës dhe janë në pritje të konfirmimit nga UEFA për zhbllokimin e merkatos, pasi Shkupi ishte ndëshkuar në janar me ndalim transferimesh për shkak të borxheve financiare që tashmë thuhet se janë shlyer.
Në pritje të dritës jeshile për të vepruar në merkato, FC Shkupi tashmë ka arritur marrëveshje me tre lojtarë të huaj, të cilët do të zyrtarizohen sapo të hiqet ndalesa nga UEFA. Sipas të dhënave të siguruara nga Sportmania, prurjet e para do të jenë:
• Gino Andre Portella – mbrojtës italian, 24 vjeç
• Maximilian Grote – portier gjerman, 23 vjeç
• Ahmet Kaan Öztürk – mesfushor turk me pasaportë gjermane, vetëm 17 vjeç
Përveç këtyre, Shkupi është shumë pranë marrëveshjes edhe me dy futbollistë nga Nigeria, që pritet të bashkohen me ekipin sapo të lejohet regjistrimi i lojtarëve të rinj.
Lëvizjet tregojnë qartë se, pas muajsh pasigurie, klubi po merr frymë dhe është gati për një rilindje, në një sezon ku objektivat mbeten gjithmonë ambicioze.

