Ekskluzive: Gjeorgjia i ofron Muhamed Thaçit përfaqësuesen U18 të basketbollit (VIDEO)

Në periudhën kur basketbolli shqiptar në Maqedoninë e Veriut lufton me mbijetesën dhe për të qenë të sinqertë përballet me problem serioz për inkuadrim në nivele më të larta, ju sjellim një lajm ekskluziv nga Gjeorgjia ku tashmë pesë muaj punon shkupjani Muhamed Thaçi. Pas aventurës pesëvjeçare dhe të suksesshme si ndihmës trajner në Izrael, Thaçi tashmë disa muaj është krye-trajner i ekipit të parë të Dinamo Tbilisit të cilët me sukses i drejton në elitën e basketbollit të Gjeorgjisë. Puna e mirë e shkupjanit bëri që më 29 janar t’i jepej nderi të drejtonte ekipin e lojtarëve të huaj në ndeshjen All Star të Gjeorgjisë, ndërsa ekskluzivisht për TV Shenja, Muhamed Thaçi zbulon një të pathënë deri tani.

“Dua ta shpalos një lajm ekskluziv. Federata e Basketbollit të Gjeorgjisë ma ka ofruar përfaqësuesen U18, duke e ditur që 8 lojtarë të cilët luajnë për mua do të luajnë edhe për atë përfaqësuese. Por unë nuk e kam pranuar, pasi që kam plane të ndryshme për këtë verë, të cilat do jenë befasi për të gjithë shqiptarët”, ka thënë mes tjerash Muhamed Thaçi.

Oferta për të drejtuar moshat e vendit padyshim se paraqet mirënjohje për punën që po bën Thaçi, por duke parë refuzimin e tij dhe paralajmërimin e diçkaje më serioze, mbetet të presim hapin e rradhës në karrierën e Thaçit. Se si shkon aventura momentale e Muhamed Thaçit me Dinamon, më shumë mund të mësoni sonte në emisionin ‘Java Sportive’ në Tv Shenja, pasi me intervistë ekskluzive nga Tbilisi i Gjeorgjisë na sjell gazetari i sportit, Faton Zylbehari.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close