Juventusi dhe Milani do të përballen në mbrëmje në orën 20:00. Gjysmëfinalja e Superkupës së Italisë do të zhvillohet në stadiumin “Kingdom Arena” të Riadit. Pritet të jetë një përballje tepër e luftuar me të dyja skuadrat që duan të shkojnë në finale të hënën, atje ku i pret Interi i cili mposhti Atalantën (2-0). Pas prezantimit zyrtar si trajner i ri i “kuqezinjve”, Serxhio Konseisao foli për sfidën e tij të parë; gjysmëfinalen e Superkupës Italiane kundër Juventusit.

“Kam gjetur një skuadër që punon me përulësi, e cila dëshiron të mësojë dhe ta kuptojë trajnerin. Kjo është shumë e rëndësishme, është baza për të bërë një punë cilësore. Kemi pasur pak kohë për të punuar, por kemi qenë të qartë në drejtimet ku skuadra duhet të përmirësohet për ndeshjen ndaj Juventusit. Koha është ajo që është. Nëse do të më pyesnit nëse do të doja më shumë kohë për të punuar dhe t’i kisha të gjithë lojtarët në dispozicion, përgjigjja ime do të ishte po. Sidoqoftë, e dija këtë që kur erdha. Nuk ka justifikime; duhet të përballemi me Juventusin me kokën lart. Duam të jemi të qartë në atë që duhet të bëjmë. Të përgatitemi për të fituar, për ne është thelbësore,” tha mes tjerash Konseisao.
Juventusi përballet me mundësinë për të fituar trofeun e parë të sezonit. Në rast suksesi ndaj kuqezinjve, ata do të përballen me Interin, që mposhti mbrëmë Atalantën 2-0, për ta ngritur trofeun. Tiago Mota vuri theksin te rëndësia e sfidës.
“Ne do të jemi gati për t’u përballuar me Milanin më të mirë. Jemi mirë fizikisht dhe e dimë çfarë duhet të bëjmë për të përballuar një skuadër të madhe, që është mësuar me gara të rëndësishme. Çfarë mund ta bëjë diferencën në këtë gjysmëfinale? Në futboll, gjithçka e bën diferencën. Detajet e vogla janë të rëndësishme. Duhet të jemi versioni më i mirë i vetes. Duhet t’iu japim vazhdimësi gjërave që kemi bërë mirë deri tani dhe të marrim kontrollin e lojës,” tha mes tjerash Mota.

