Sokol Cikalleshi ishte një nga mungesat e mëdha të Shqipërisë në Euro 2024. Sidomos prej faktit që sulmuesi nga Kavaja i luajti si titullar të gjithë takimet e fazës eliminatore.

34-vjeçari, pjesë e Konyasporit në Superligën turke – kampionat që prej sezonit të ardhshëm do të transmetohet edhe në SuperSport/DigitAlb vendosi të tërhiqej nga ekipi kombëtar.
Pa bërë polemika si gjithmonë, Cikalleshi shkroi këto rreshta në njoftimin e lamtumirës nga Kombëtarja vetëm një ditë pasi Sylvinho publikoi listën e lojtarëve që përfaqësuan Shqipërinë në Gjermani 2024.
“Fundi i një rrugëtimi:
Rrugëtimet janë aq të bukura, me ulje-ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve, nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.
Ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar të futbollit.
Bartja e emocioneve të një kombi mbi shpinë është sa privilegj, aq edhe përgjegjësi, e cila më ka bërë të përulur dhe mirënjohës ndaj çdokujt që besoi, ndaj çdokujt që më dha kurajë për të vazhduar e, pa dyshim, ndaj çdokujt që brohoriti për mua”.

