Një Kërçovar që shkëlqen në Shkup me Rabotniçkin, Akademinë e FFM-së dhe përfaqësuesen U17 të Maqedonisë së Veriut. Quhet Destan Adili dhe len prapa një vjeshtë shumë pozitive, ku u stërvit me ekipin e parë të Rabotniçkit, ndërsa paraqitej me gjeneratën U19. Me efekt prej 4 golave e 10 sisteve në 12-të ndeshje, Adili pëveç se ishte ndër lojtarët më të mirë të ekipit të tij, gjithashtu ra në sy të seleksionuesve të Maqedonisë së Veriut dhe si pasojë mori ftesë te gjenerata U17. Debutim me gol për Maqedoninë dhe më pas edhe tjetër paraqitje janë paralajmërim për të pritur vazhdimësi të Destan Adilit në praneverë me përfaqësuesen, ndërsa ai akoma vazhdon të jetë aktiv në këto ditë të fundvitit shkaku i angazhimeve me Akademinë e FFM-së. Pikërisht një asist i Adilit ishte vendimtar për golin e vetëm dhe të fitores 1:0 ndaj Akademisë së Sllovenisë, me të cilët të dielën pason ndeshja e dytë.

“T’ju them të drejtën jam i kënaqur si kanë shkuar gjërat në këtë gjysmësezon edhe pse gjithmonë mundet dhe duhet edhe më mirë. Por, vlerësoj se jam paraqitur mirë me Rabotniçkin U19, ushtroja me ekipin e parë, ndërsa mora ftesë edhe në përfaqësuese ku trajnerët mi kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjet e mia”, shprehet kërçovari 17-të vjeçar, Destan Adili.
Ai vazhdon të punojë me motiv të shtuar për të vazhduar ngritjen, sepse qëllimi tij parësorë është sa më parë të gjejë hapsira në kategori të seniorëve.
“Nga e kaluara nuk jetohet dhe për mua kjo është vetëm motiv të vazhdoj të punoj akoma më shumë. Qëllimi im është sa më parë të fitoj mundësi loje me ekipin e seniorëve dhe uroj te Rabotniçki të më jepet kjo hapsirë. Do të punoj pa rreshtur për të kapur këtë objektiv”, thotë Adili.
“Normal se çdo futbollist ka ambicie një ditë të luajë jashta vendit, por unë i marr gjërat me rradhë. Të kap fillimisht objektivin e parë, si që thash të gjej hapsirë loje te seniorët, pastaj me paraqitje dinjitoze gjërat tjera jam i sigurtë se do të vijnë vetë përmes një rruge natyrale”, shtoi Adili.
Derisa pret të mbyllë vitin me angazhimet me Akademinë e FFM-së, Destan Adili bashkë me punën në terren nuk len pa ndjekur Kupën e Botës “Qatar 2022”.
“Sigurisht se kam ndjekur Botërorin dhe duke qenë se prej fillimit isha përcaktuar me Argjentinën, jam i kënaqur si kanë ecur gjërat. Leo Messi është arsyeja pse bëj tifo për këtë kombëtare dhe mendoj se flasim për futbollistin më të mirë të gjithë kohërave. Uroj ta mbyllë të dielën ciklin me Argjentinën si Kampion i Botës”, përfundoi Destan Adili.







