Burimet e televizionit Shenja mësojnë ekskluzivisht se Besir Demiri rikthehet për të luajtur sërish me FC Shkupin. Drejtuesit e skuadrës bardheblu kanë arritur akordin me futbollistin shkupjan që për momentin është pjesë e Dinamo Tiranës, por që ka edhe një vit kontratë aktuale. Kryesia shkupjane do të paguajë një shumë të hollash klubit të Dinamos për të transferuar Demirin në Çair. Detajet janë vendosur ndërmjet palëve, ndërsa mbetet vetëm finalizimi i dokumenteve për të zyrtarizuar gjithçka për opinionin. Kështu, Besir Demiri do të jetë një përforcim i madh për Shkupin në këtë verë, që tashmë do ti vazhdojë garat në Liga Europa dhe në raundin e tretë do të përballen me Shamrokun e Irlandës. Kujtojmë që Besir Demiri ka qenë pjesë e Shkupit edhe në të kaluarën, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Shkëndijën, Vardarin, Mariupolin, Zhilinën dhe Kukësin.


