Boban: Kroacia është pothuajse në fund të ciklit, por Italia nuk do ta ketë të lehtë…

Kroacia e Luka Modric, tashmë gati 39 vjeç, nuk i lejon axurrët të flenë të qetë. Italia e Luciano Spallettit nuk do ta ketë të lehtë në Leipzig të hënën, për t’ia dalë mbanë, pavarësisht se ka dy rezultate nga tre në dispozicion. Për këtë është i bindur Zvonimir Boban, ylli i dikurshëm i Milanit dhe i kombëtares kroate, sot menaxher sportiv dhe komentues në “Sky”:

“Kroacia është thuajse në fund të një brezi, që na ka dhënë kaq shumë, por ka mundur të reagojë gjithmonë në momentet e vështirësisë. Dyshoj se këtë herë nuk ka as energjinë dhe as freskinë e zakonshme, me të cilat na ka befasuar gjithmonë.

Megjithatë, besoj te karakteri djemve të kombëtares, do ta tregojnë veten. Pra, nuk do të jetë e lehtë për Italinë. Përmes mesfushës, Kroacia do ta mbajë topin në zotërim, do të luajë një ndeshje krejtësisht tjetër në krahasim me dy të parat në këtë Europian.

Ajo që pamë në dy ndeshjet e para ishte një Kroaci mjaft sterile. Le të themi se nuk kishte asnjë ide se si të sulmonte dhe çfarë të bënte, kjo është e çuditshme për një mesfushë që ka qenë gjithmonë magjike. Tani le të shohim se çfarë do të ndryshojë trajneri ynë (Zlatko Dalić), shpresoj t’i dalë për mirë”.

Boban bën një hap prapa dhe thotë të tijën për debaklin e axurrëve kundër Spanjës, veçanërisht për sa i përket lojës dhe jo rezultatit: “Për Italinë ishte një zhgënjim i madh, ishte një realitet i dhimbshëm në nivelet më të larta të futbollit. Shumë djem nuk ishin në gjendje të luanin në atë nivel. Italia ishte e dominuar teknikisht dhe fizikisht.

Më habiti shumë fakti se në kohë vështirësie duhet të tregosh personalitetin tënd, edhe kjo i mungoi Italisë, megjithatë personaliteti në ato nivele vjen edhe me cilësinë që ke. Kini më shumë ekuilibër dhe përpiquni të bëni disa rregullime, shpresoj jo ndaj Kroacisë sime. Mendoj se Spalletti do t’i gjejë ato rrugëdalje, sepse është një trajner i madh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close