Barcelona ka njoftuar sot (28/9) një fitim prej 304 milionë eurosh për sezonin 2022-2023, më i lartë se parashikimet e klubit katalanas teksa kërkon të pastrojë situatën e tij financiare.

Klubi, i cili parashikon të ardhura prej 859 milionë euro për sezonin aktual, “e mbylli vitin financiar 2022/23 me një fitim neto prej 304 milionë euro pas tatimit, një rezultat më i lartë se ai që ishte miratuar në buxhetin e sezonit të kaluar,” njoftoi Barcelona.
Gjatë sezonit të sipërpërmendur, Barcelona arriti, në një nivel të konsoliduar, të ardhura operative prej 1,259 milion € me shpenzime operative në vlerën 1,165 milion €.
Për vitin 2022/2023 kishte në buxhet fitime prej 274 milionë eurosh, ose 30 milionë më pak se sa ishte parashikuar. Borxhi neto ra nga 680 milionë euro në qershor 2021 në 552 milionë euro një vit më vonë.
Shitjet në dyqanet e Barcelonës arritën kështu në 100 milionë euro, “rekord absolut në këtë sektor aktiviteti”.
La Liga e Spanjës kontrollon rreptësisht shpenzimet e klubeve për pagat dhe transferimet e lojtarëve. Më 14 shtator, ajo vendosi të ulë kufirin e shpenzimeve të Barcelonës, duke i vendosur tani tavanin prej 270 milionë euro. Ky tavan mbulon pagat e lojtarëve dhe stafit, kostot e amortizimit të transfertave, tarifat e trajnerit, bonuset, etj.(dosja.al)

