Atalanta-Juventus, flet Allegri: Finalja e fundit? Mund të jetë e tillë për të gjithë…

Objektivi është triumfi i 15-të për Juventusin, i cili është klubi që e ka fituar më shumë Kupën e Italisë, përpara Interit dhe Romës me nga 9 trofe të tillë. Sidoqoftë, bardhezinjtë vijnë nga pesë barazime radhazi në Serie A, kanë fituar vetëm 2 ndeshje nga 15 të fundit në kampionat.

Nga ana tjetër, ata duhet të kapërcejnë një Atalanta shumë efikase, finaliste edhe në “Europa League”, pasi ka eliminuar Liverpool-in dhe Marseille. Sidoqoftë, Allegri ka besim të madh te skuadra e tij për finalen e mbrëmjes së sotme në “Olimpico”:

“Përgëzoj Atalantën për finalen e ‘Europa League’. Pavarësisht taktikave dhe teknikës, do të duhet shumë disponueshmëri në fushë. Në finale duhet të jesh i mirë për shfrytëzimin e episodeve në anën tënde. Duke ditur që ndeshjet kundër Atalantës nuk mbarojnë kurrë, duhet të qëndrojmë të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”.

Trajneri i Juventusit mendon se ndeshja ndaj Atalantës, finalja e Kupës së Italisë, është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë: “Ne e dimë që do të përballemi me një skuadër të fortë, që me të drejtë e konsiderojnë favorite. Për të gjithë ne mund të jetë edhe finalja e fundit. Nëse fitoni, jeni mrekullisht më mirë se kundërshtari juaj, përndryshe duhet të gëlltisni pilula të hidhura”.

Allegri nuk do të ketë në dispozicion Locatelli, i cili është i skualifikuar: “Duhet të kuptoj nëse do të luajë Nicolussi Caviglia apo të gjej një zgjidhje tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për anësorët, duhet të zgjedh, gjithashtu duke pasur parasysh se ndeshja mund të shkojë në kohë shtesë. Objektivi kryesor, i cili e kuptoj se mund të mos iu pëlqejë të gjithëve, është që Juventusi të luajë në Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close