Asnjë italiane, tri skuadra spanjolle; gjithçka duhet të dini për çerekfinalet e Champions League

Liga e Kampionëve do të ndryshojë. Sezoni 2023-2024 mbyll epokën e 8 grupeve, si dhe atë të 32 skuadrave që luajnë në fazën finale. Kompeticioni me skemën e re do të fillojë më 2024-2025, me 36 skuadra dhe një grup të vetëm, nga ku do të dalin të kualifikuarit për në 1/8 finale e kështu me radhë. Me kalimin në skemën e re të Champions-it, ligat kryesore evropiane kanë mundësinë të kenë një ekip më shumë se në të kaluarën.

Jo vetëm duke fituar kompeticionin e vitit të kaluar (në këtë rast 2023-2024) ose Ligën e Evropës (të të njëjtit sezon), por duke marrë një vend shtesë falë rezultateve të të gjitha skuadrave të ligave të ndryshme kontinentale në Champions League, Ligën e Europës dhe Ligën e Konferencës.

Italia, për shembull, mund të ketë në këtë mënyrë 5 skuadra në Champions League 2024-2025, direkt nga kampionati, pa pasur nevojë të fitojë “kupën veshëgjatë” ose “Europa League” 2023-2024. Ndërkohë, prestigjiozja spanjolle “Marca” bën një prognozë të asaj që pritet në çerekfinale të këtij edicioni, me shortin që do të hidhet nesër nga UEFA:

“Tetë skuadra për një titull. Më i dëshiruari në futbollin e klubeve, Liga e Kampionëve. Ka ardhur momenti i së vërtetës për “kupën veshëgjatë”; çerekfinalet. Shorti do të hidhet të premten (12:00), në Nyon. Nesër do të bëhet e ditur tabloja e plotë që na shpie në finalen e “Wembley”. Mes pretendentëve, njëri qëndron mbi të tjerët: Manchester City i Guardiolës. Kampionët aktualë europianë mbeten favoritët kryesorë për ta mbrojtur kurorën.

Konkurrenca do të jetë e ashpër dhe rruga e mundshme drejt Londrës, e pamundur të parashikohet. Fati i shoqëroi skuadrat italiane në shortin e vitit të kaluar dhe Interi për pak sa nuk shkaktoi tronditje në Stamboll ndaj skuadrës së Guardiolës. Në fund të fundit, historia, talenti dhe karakteri bëjnë dallimin në rrugën drejt suksesit në futboll.

Shkëlqimi spanjoll

Në shortin e së premtes do të jenë tri skuadra spanjolle. Asnjë vend tjetër nuk ka kaq shumë përfaqësim në këtë raund. Atlético Madridi u kualifikua mbrëmë me zemër, agoni dhe futboll. Skuadra e Simeone eliminoi Interin me penallti dramatike, ku Oblak u bë heroi i përjetshëm i “Wanda Metropolitano”.

Real Madridi pësoi më shumë seç pritej ndaj një Leipzigu trim, por e kapërceu ditën më të keqe dhe do të jetë sërish në çerekfinale. E ndërsa është e vërtetë që dëmtimet e mjaft titullarëve e kanë pakësuar potencialin e skuadrës së Ancelottit, madrilenët po iu përgjigjen shumë mirë pengesave që dalin këtë sezon. Të gjithave, për më tepër me një Bellingham në ‘modalitetin drejtues’.

Edhe për Barcelonën nuk ishte një kualifikim i lehtë në çerekfinale. “Thuhej se ne ishim karagjozët e Champions League, çfarë të bëjmë tani?” – tha Xavi pas eliminimit të Napolit. Dhe tani shikon përpara plot mundësi falë produktit të “La Masia”: Cubarsí, Fermín, Lamine…

Manchester City, favorit

Nuk ka dyshim se kampioni aktual, Manchester City i Pep Guardiolës, është sërish kandidati kryesor për të fituar. “Blutë qiellorë” e kanë kapërcyer bindshëm fazën e grupeve dhe 1/8 finale. Tani, megjithatë, edhe pse gjithçka është pak më e komplikuar, ata e kanë ngritur nivelin.

“Qytetarët”, të cilët po luftojnë për të përsëritur “Tripletën” me Premier League, “FA Cup” dhe Champions League si objektiv, kanë një seri pozitive mbresëlënëse. Ata nuk kanë humbur që nga 6 dhjetori i kaluar (kundër Aston Villa së Emery). Domethënë, janë 21 ndeshje radhazi të pamposhtur.

Kandidatët e tjerë

Në këtë pikë të kompeticionit është e qartë se çdokush mund të befasojë. Interi e bëri këtë sezonin e kaluar. Tashmë, Arsenali duket se është në atë pozicion…, pavarësisht vuajtjes për të eliminuar Porton. “Topçinjtë” duhej të shkonin te penalltitë dhe David Raya i shpëtoi…, por nuk janë kot liderët e Premier League.

Megjithatë, një hap përpara tyre janë PSG dhe Bayern Munich (të paktën në parashikime). Asnjë prej tyre nuk është 100% i besueshëm në këtë sezon, mangësitë i kanë evidente (lëndimet, stili i pasigurt…), por edhe cilësia mund të jetë e dukshme. Parizienët kanë një yll si Mbappe, ndërsa bavarezët përvojën që i karakterizon… dhe një Harry Kane të pandalshëm drejt “Këpucës së Artë”.

Ndërkohë, tifozët e çdo skuadre duan një Dortmund që nis si ‘i preferuari’ i të gjithëve. Djemtë e Terzic janë të katërtit në Bundesligë, por mundën PSG-në në fazën e grupeve dhe dominuan PSV e vështirë (të pamposhtur në ligën e tyre) në 1/8 finale. Verdhezinjtë janë ‘Hirushja’ e kompeticionit, kjo është e qartë, por dhe ata kanë kurthet e tyre.

Skuadrat e kualifikuara për në çerekfinale

PSG

Bayern Munich

Real Madrid

Manchester City

Barcelona

Arsenal

Atlético Madrid

Borussia Dortmund

Këtë të premte, shorti

Tashmë dihet data, ora dhe vendi i hedhjes së shortit për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve 2023-2024. Goglat  do të përzihen të premten e datës 15 mars, në orën 12:00. Shorti do të mbahet në “Shtëpinë e Futbollit Evropian”, në Nyon (Zvicër).

Gjithashtu, duhet theksuar se ndeshjet që korrespondojnë me çerekfinalet e dala nga ky short do të luhen në datat 9 dhe 10 prill, ndeshjet e para, ndërsa kthimet do të jetë një javë më vonë; më 16 dhe 17 të të njëjtit muaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close