Ka përfunduar pushimi veror për Arsimin e Çegranit. Anëtari i Ligës së Dytë ka nisur fazën përgatitore gjatë së cilës stafi teknik do të caktojë minimum 5 ndeshje kontrolluese. Duke ditur se në stadiumin e fshatit Çegran zhvillohen punime për përmirësimin e infrastrukturës, Arsimi është grumbulluar në stadiumin e fshatit Reçicë të Tetovës ku do të vijojnë përgatitjet.






Shefi i stafit teknik Vildan Saliu në grumbullim kishte 26 lojtarë. 11 futbollistë qëndrojnë në provë dhe përmes seancave stërvitore e ndeshjeve brenda grupit do të vlerësohet nëse ata do të përmbushin standardet e kërkuara nga trajneri dhe kryesia e Arsimit.
Detyra e klubit në ditët në vijim mes tjerash do të jetë kompletimi i stafit teknik, pasi planifikohet angazhimi edhe i dy asistentëve me qëllim që numri i trajnerëve të shkojë në katër.
Sipas asaj që drejtori dhe trajneri vlerësojnë, për të kompletuar ekipin për sezonin e ardhshëm do të duhet minimum të angazhohen edhe 3-4 përforcime me qëllim KF Arsimi të jetë sa më konkurent në shoqërinë ku do të garojë.


