Gjatë javës së pushimit, ata që nuk janë të zënë me ekipet kombëtare, sigurisht që kanë më shumë kohë për t’iu kushtuar relaksit. Të gjitha skuadrat në mbarë botën janë duke u stërvitur me grupe të reduktuara lojtarësh.

Disa trajnerë iu kanë dhënë lojtarëve të tyre pak kohë të lirë në fundjavë. Mes tyre ishte edhe Carlo Ancelotti, i cili e shfrytëzoi pushimin për t’u rikthyer në Itali. Trajneri i Real Madridit ndodhet në Parma, një hedhje guri larg nga shtëpia, ku ka qenë edhe si futbollist, edhe si trajner.
“Don Carlo” ka në pronësi edhe një hotel në Parma, që sapo është inauguruar, në të cilin ndër të tjera do të ekspozohen relike të ndryshme që i përkasin teknikut nga Reggiolo. Në eventin inaugurues, ish-trajneri i Milanit dhe Napolit në Serie A iu bashkua mikrofonit të “Sky Sport”.
Së pari një pyetje për mbërritjen e afërt të Kylian Mbappé në “oborrin” e tij, e dribluar shkëlqyeshëm nga Ancelotti: “A jam i gëzuar që Mbappe po vjen? Gjëja më e rëndësishme është Real Madridi”. Më pas, i pyetur për flirtin me Brazilin, Carletto u përgjigj: “Jam i lumtur te Real Madridi”.

