Ajet Shosholli promovon dokumentarin, Shkëndija e befason më fanellën kuqezi 

Dokumentimi i karrierës kaloi edhe përmes Tetovës ku në vitet 94/95 shkroi historinë, ndërsa me këtë rast si kujtim i promovimit Shkëndija i dhuroi fanellën kuqezi me numrin “7” të preferuar nga Shosholli. 

Trajneri legjendar nga Mitrovica, Ajet Shosholli të hënën në Prishtinë promovoi dokumentarin “Trajneri i gjeneratave” në të cilin përshkruhet jeta dhe vepra ndër vite e një prej trajnerëve më të mirë që ka pasur Kosova dhe jo vetëm. Në një ceremoni solemne dhe në praninë e shumë figurave të njohura nga bota e futbollit, sportit dhe politikës, dokumentari u shfaq për herë të parë, derisa përveç vetë protagonistit, për jetën e tij sportive prej trajneri folën shumë ish-bashkëpunëtorë, futbollistë e trajnerë dhe punëtorë sportiv që kanë qenë të lidhur ngushtë me veprimtarinë e Ajet Shoshollit. 

Duke përshkruar me rradhë etapat e karrierës së tij dhe kohërat e vështira dhe të rrezikshme në kohën e okupimit serb, seleksionuesi i parë i përfaqësueses së Kosovës patjetër se do të ndalej edhe në periudhën 1995/96 kur mori drejtimin e Shkëndijës së Tetovës dhe do të bëhej trajneri që udhëhoqi kuqezinjtë drejt kualifikimit të parë dhe historik në elitën e futbollit të Maqedonisë. 

Shih në linkun më poshtë pjesën ku flitet për Shkëndijën e Tetovës:

https://fb.watch/iR8pJluJwg/?mibextid=l066kq

Për këtë periudhë për të folur në dokumentar ishin zgjedhur Enver Sulejmani (pjesë e kryesisë së atëhershme të Shkëndijës), futbollistët e asaj gjenerate Ibrahim Osmani dhe Skender Jonuzi, si dhe Harun Isa që luajti për Shoshollin te Prishtina. 

Me këtë rast nga Shkëndija e Tetovës në shenjë mirënjohje dhe për të ruajtur një kujtim nga promovimi i dokumetarit, përmes zëdhënësit Faton Zylbehari, trajnerit legjendar Ajet Shosholli i dhuruan një fanellë të kuqezinjëve me numrin “7” që pëlqehet tejmase nga trajneri.

Ajet Shosholli nuk fshehi kënaqësinë që Shkëndija e respektoi duke qenë prezente në promovimin e dokumentarit të jetës së tij sportive, pasi ky klub dhe qyteti i Tetovës mbajnë vend të veçantë në memorien e trajnerit mitrovicas. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close