Futbolli elitar në Maqedoninë e Veriut rikthehet të dielën me ndeshjet e xhiros së 10-të në program. Shkëndija e Tetovës në këtë xhiro do të jetë ndaj Tikveshit në transfertë.

Mbrojtësi i Shkëndijës, Mevlan Adili në konferencën për shtyp para takimit të nesërm, thotë se Tikveshi është skuadër që meriton respekt.
“Tikveshi skuadër që meriton respekt, pasi e ka dëshmuar edhe sezonin e shkuar kur fituan Kupën e vendit, gjë që s’është e lehtë. Sa i përket ndeshjes mendoj se është koha dhe momenti për të dëshmuar se dimë të fitojmë edhe jashta Tetovës, sepse këto fitore sipas meje nuk vlejnë 3, por 6 pikë. Pavarësisht pozitës momentale, të fitosh Tikveshin si mysafir ka vlerë. Nuk na gënjen situata e tyre, pasi pozita në renditje nuk është reale konform cilësisë. Shpresoj nesër të jetë momenti dhe dita jonë”, u shpreh Adili.
Përballja Tikveshi – Shkëndija luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Shtip me fillim në orën 14:00.

