Me rezultatin 5:1, skuadra e Tiranës ka arritur të mposht Partizanin dhe t’i marrë tri pikët e xhiros së 24-të në Kategorinë Superiore.

Derbi i Tiranës tregoi thuajse gjithçka; karton të kuq, penallti, gola dhe spektakël në tribuna. Goli i parë i këtij takimi erdhi qysh në minutën e 2’, kur Uilliam kaloi në epërsi skuadrën e Partizanit. Por, kundërpërgjigja e Tiranës ishte e shpejtë. Idriz Batha realizoi për 1:1 në minutën e 16’, kur u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Akordimi i penalltisë në favor të Tiranës u përcoll edhe me karton të kuq për Eneo Bitrin, duke bërë që të ndryshohet komplet rrjedha e lojës.
Vetëm tre minuta më vonë, përsëri Batha, përsëri nga pika e bardhë e penalltisë, i dha epërsinë skuadrës së tij, duke shënuar për 2:1.
Në pjesën e dytë, Tirana realizoi edhe tri herë të tjera, për të vulosur rezultatin final 5:1.
Fillimisht ishte një autogol i Hektor Idrizaj, në minutën e 63’, para se të shënojë dy herë Ernest Muçi.
Me këtë fitore, Tirana shkon në 47 pikë për pozitën e parë në tabelë, kurse Partizani mbetet me 38 pikë në pozitën e tretë.Në derbin e Tiranës, në ‘Air Albania’ ishin të pranishëm rreth 19 mijë e 500 tifozë. /Lajmi.net/

