Viti 2024 u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme për Interin, që tani do t’i përqendrojë forcat tek një objektiv madhor si Superkupa e Italisë. Do të startojë në vitin kalendarik 2025 dhe zikaltrit duan patjetër të konfirmohen si kampionë.

Lajme të mira vijnë nga reparti i prapavijës, ku Mateo Darmian është rikuperuar plotësisht. Skuadra do të stërvitet ditën e sotme në Milano dhe pastaj do të niset për në Riad, ku do të luajë më datën 2 duelin kundër Atalantës.
Sa iu përket 2 mbrojtësve të tjerë, Pavar dhe Açerbi, Inzagi ka vendosur të mos i marrë me vete sepse nuk janë të gatshëm. Do të qëndrojnë në Milano për të punuar të veçuar dhe për të tentuar të kapin duelin me Venecian.

