Zhegrova: Çfarë fitore e madhe, krenar me këtë ekip

Edon Zhegrova nuk ishte në gjendje të luante nga fillimi në ndeshjen mes Bolonjas dhe Lille-s. Ylli kosovar e kishte pësuar një lëndim të lehtë në ndeshjen me Renin në fundjavën që shkoi, ku ishte protagonist me golin e fitores. Kjo bëri që trajneri i ekipit francez të mos rrezikonte dhe vendosi ta fusë në fushë përfaqësuesin kosovar vetëm në 20 minutat e fundit.

Sidoqoftë, Lille fitoi në Itali me rezultat 2:1 dhe e regjistroi kështu fitoren e tretë në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, pasi paraprakisht i kishte mposhtur dy klubet madrilene, Realin dhe Atletikon. Pas ndeshjes, 25 vjeçari e bëri një postim përmes së cilit e shprehu gëzimin për fitoren, por foli edhe për lëndimin, duke e bërë njëkohësisht një premtim.

Çfarë fitore e madhe sonte. Krenar me këtë ekip. Një lëndim i lehtë, por do të jem në 100 për qindëshin tim shumë shpejt”, shkroi ish-futbollisti i Baselit në rrjetet sociale.

Zhegrova ka qenë sensacional në këtë sezon duke i realizuar 4 gola në Ligën e Kampionëve, tri prej tyre në kualifikime dhe një në fazën e ligës, por edhe 4 të tjerë në kampionatin francez të futbollit – Ligue 1.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close