Bashkimi e nis me fitore minimale ndaj Borecit sezonit e ri në Ligën e Dytë 

Futbollistët e Bashkimit kanë hapur sezonin e ri në Ligën e Dytë të Maqedonisë me një fitore minimale (0-1) në fushën e Borecit. Me golin e vetëm të shënuar nga Ardit Demiri, ekipi nga Kumanova siguroi fitoren në përballjen e zhvilluar në Veles.

Ndeshja duhej të zhvillohej këtë fundjavë, por për shkak të problemeve burokratike, Komisioni i Garave pranë FFM-së vendosi që dueli të mos luhej të shtunën, por të caktohej e marta si termini i ri.

Pas një fillimi të qetë në terrenin artificial të stadiumit “Zoran Paunov” në Veles, ishin futbollistët mysafirë ata që gëzoheshin të parët për golin. Ishte minuta e 42-të e ndeshjes kur, pas një rivënieje anësore nga e djathta dhe një ngatërrimi në zonën e penalltisë, Husein Demiri me një goditje të bukur me thembër pasoi topin, ndërsa Ardit Demiri e dërgoi pas shpinës së portierit Jakimov për 0-1.

Në vazhdim të ndeshjes, vendasit nga Velesi u përpoqën të sulmojnë dhe të barazojnë rezultatin, por nuk kishin forcë për një rikthim. Në fund, Bashkimi u largua nga Velesi me të gjitha pikët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close