Pollogu gjithmonë ka qenë si “minierë” për talentë të futbollit dhe jo rrallë pikërisht nga ky rajon dalin djem që pëlqehen e angazhohen nga klube apo ekipe përfaqësuese. Së fundmi shembull konkret është i riu nga Nerashti i Tetovës, Arti Selmani.


Anëtari i gjeneratës U16 të Shkëndijës së Tetovës ra në sy fillimisht me paraqitjet e tij te kuqezinjtë tetovarë e si pasojë do të vinte ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit e cila në kuadër të seleksionimeve të planifikuara nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare të FSHF-së, të shtunën (14 janar)në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz organizoi ndeshje për selektim të futbollistëve të rinjë që kanë spikatur me skuadrat e tyre gjatë këtij sezoni. Hapsirat e tij i gjeti edhe Arti Selmani që mori thirrje nga ky sektor i FSHF-së për tu testuar nga Kombëtarja U16 e Shqipërisë.
Paraqitja e Arti Selmanit ishte tejet pozitive, duke u dalluar me lojë shumë të mirë dhe sipas përshtypjeve të para nga organizatorët e selektimit, me performansë e treguar pritet që në të ardhmen ai të merr ftesë nga Kombëtarja U16 e Shqipërisë.

