Jasir Asani duket i destinuar të luajë kundër Arabisë Saudite. Nëse FIFA kohë më parë refuzoi kërkesën e shkupjanit për ndryshim të pasaportës sportive dhe të kthehej të luaj për Maqedoninë ku pëlqehet nga seleksionuesi Milevski, e në rast aprovimi do të provohej në miqësoren e 22 tetorit me Arabinë Saudite, gjithsesi në horizont shfaqet mundësia që megjithatë ai të luajë ndaj Arabisë, por në vend 22 tetorit, do ta bënte me 26 tetor dhe në vend fanellës së Maqedonisë së Veriut, ai të luajë me Shqipërinë.

Jasir Asani është ftuar nga kombëtarja shqiptare për miqësoren me Arabinë Saudite në datën 26 tetor. Burime të besueshme pranë kuqezinjve bëjnë me dije për Newsport.al që stafi teknik ka vendosur të grumbullojë pikërisht një nga futbollistët që shkëlqeu para dy sezonesh në Shqipëri.
Ai luan në Hungari me Kisvardën ku në takimet e fundit ka bërë mjaft mirë. Ndaj trajneri Edy Reja është bindur për t’i dhënë një shans në këtë sfidë miqësore që do të shërbejë për të vëzhguar shumë lojtarë të rinj. Ndeshja Arabi Saudite – Shqipëri është programuar të zhvillohet në datën 26 tetor.
Megjithatë pritet të shihet nëse shkupjani do të lejohet nga klubi hungarez për t’iu bashkuar kuqezinjve. Të njëjtat burime tregojnë se në ftesën e Kombëtares, fillimisht ka pasur hezitim nga ana e drejtuesve të Kisvardës. Duke qenë se ajo periudhë përkon me ndeshje të rëndësishme të ekipit hungarez po shihet mundësia që Asani të lejohet vetëm nëse do të ftohet në sfidën kundër Italisë.
Kujtojmë që dëshira e Jasir Asanit ka qenë gjithmonë e madhe për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Kohë më parë u hap mundësia të kthehej të luajë për Maqedoninë e Veriut, mirëpo refuzimi erdhi nga FIFA dhe ai zgjedhje të vetme ka Shqipërinë. Një lojtar me cilësi teknike si ai, padyshim do t’i rrisë konkurencën e ekipit kombëtar.

