Klubet e futbollit nga Maqedonia e Veriut kanë shënuar rënie në listën e klasifikimit në UEFA dhe kështu nga viti 2024 vendi do të ketë vetëm tre ekipe nga Liga e Parë që do të luajnë në Kupat Europiane.

Deri më tani kemi konkuruar me katër skuadra në Europë, me kampionin që është kualifikuar në eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe tre në Ligën e Konferencës. Por, paraqitjet e dobëta të skuadrave tona në skenën europiane viteve të fundit e veçanarisht këtë sezon, sollën këtë rënie të koeficientit. Këtë verë, vetëm Shkupi shkoi më larg në Europë, duke u eliminuar në fazën e plej of-it të Ligës së Konferencës, por nuk ishte skuadra më e suksesshme nga elita pasi e mbylli aventurën europiane me një fitore, një barazim dhe gjashtë humbje. Primatin e më të mirëve e mbajti Shkendija, ndërsa Akademia Pandevi dhe Makedonija Gjorçe Petrovi nuk sollën pikë të rëndësishme.
Maqedonia e Veriut para kësaj vere evropiane ishte e 38-ta në listën e koeficientëve të UEFA-s, në renditjen e radhës do të jetë 48, ndërsa në vitin 2024 do të jetë në pozitën e 52-të, që do të thotë se automatikisht humbet një vend evropian, sepse ata që renditen në TOP-50 marrin nga katër klube secili. Më pas rezultatet e kësaj vere (sezon 2022/23) japin koeficientin e vendit, sipas të cilit përcaktohet renditja dhe cili shtet do të ketë sa skuadra në verën e vitit 2024 (sezon 2024/25).
Për shkak të rezultateve të këqija këtë vit dhe renditjes në listën e radhës, Maqedonia humbet një vend evropian në vitin 2024 dhe do të ketë ndryshime. Kampioni i Maqedonisë në vitin 2024 do të duhet të luajë parakualifikime në një turne me kampionët e Malit të Zi, Andorrës dhe San Marinos dhe në Ligën e Konferencave të gjitha skuadrat tona do të nisin nga turi i parë. Dhe ndoshta nga parakualifikimet, nëse UEFA ndryshon sistemin, varësisht nëse do të ketë ekipe ruse në atë sezon apo jo.
E vetmja mundësi për të rikthyer koeficientin do të jetë një sezon i mirë në Europë në vitin 2023. Sepse vera e vitit 2023 (sezoni 2023/24) do të llogaritet në renditjen që do të përcaktojë se sa skuadra do të kemi në verën e 2025 (sezoni 2025/26). Sukseset e mundshme evropiane verën e ardhshme do t’ia kthejnë vendin e katërt Maqedonisë. Ndryshe do të mbetemi me tri skuadra, që do të ishte edhe një goditje e madhe, sidomos për ligat e para.

