Pas 128 ndeshjesh për Napolin, Elif Elmas zhvilloi një ndeshje si kapiten i ekipit italian.

Fantazisti nga Maqedonia e Veriut, pati nderin që të mbajë shiritin e kapitenit të Napolit në ndeshjen miqësore ndaj Juve Stabia. Trajneri Luciano Spalleti ja dha këtë përgjegjësi reprezentuesit të vendit tonë në një formacion të kombinuar që bëri për këtë ndeshje.
“Ishte me të vërtetë një ndjenjë e veçant për mua të mbaja shiritin e kapitenit. Ishte e mrekullueshme nga tifozët që u mblodhën dhe qëndruan pas skuadrës në këtë takim miqësor, ndaj dhe i falënderojmë për mbështetjen e ngrohtë që na dhanë”, tha Elmas.
Napoli mori fitore me rezultat 3-0 në këtë ndeshje, por edhe pse nuk arriti të gjejë rrjetën, Elmas foli me shumë optimizëm për Napolin.
“Jam i lumtur me ardhjet e reja, janë futbollistë me cilësi të madhe, të cilët do të na ndihmojnë shumë. Besoj se ky grup lojtarësh mund të arrijë qëllime të mëdha dhe do të zhvillohet akoma në të ardhmen. Tani do të luajmë me Fiorentinën dhe nga nesër do të punojmë shumë që të rikthehemi me një rezultat pozitiv nga Artemio Franki, ndaj një ekipi shumë të fortë”, përfundoi Elmasi.

