Shkëndija e Tetovës sonte në Shkup përballet me Valmierën e Letonisë, në kërkim të biletës për raundin e tretë eliminatorë të UEFA Conference League. Pasi eliminuan Araratin e Armenisë në xhiron e parë, Shkëndija ka epërsi 2:1 nga dueli i parë i raundit të dytë me Valmierën, falë triumfit një javë më parë në Riga të Letonisë. Tani duhet menaxhim i epërsisë nga 90-të minutat e para në drejtim të avansimit në raundin e tretë. Para kësaj ndeshje të rëndësishme, në mbështetje të klubit ka dalë legjenda tetovare e futbollit, Gajur Sadiku, ish-futbollist i Shkëndijës dhe tani trajner në Suedi.

“Shkëndijën e pret një tjetër ndeshje me peshë në skenën ndërkombëtare. Prandaj ftoj të gjithë që në numër sa më të madh të përkrahin klubin drejt kalimit të kësaj pengese. E dij se nuk është e lehtë të udhëtohet gjithmonë drejt Shkupit, por prezenca e “Ballistëve” bën që të krijohet atmosferë briliante. Tifozët janë lojtari numër 12 –të i Shkëndijës dhe me prezencën e tyre në çdo ndeshje, skuadra ka të garantuar atmosferën e zjartë që futbollistëve u jep forcë shtesë. Prania e tyre ka rëndësi të madhe për klubin. Shpresojmë një ditë të kemi stadiumin e Tetovës në gjendje për të pritur ndeshje ndërkombëtare në Tetovë, që do të ishte diçka fantastike ku Shkëndija do të kishte mbështetje shumë më të madhe. Forca Ballista, Forca Shkëndija”, është shprehur Gajur Sadiku.
Përballja Shkëndija-Valmiera luhet sonte në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, me filim në orën 20:00.


