Tekniku i suksesshëm shkupjan, Zekirija Ramadani rikthehet në kampionatin kosovar ku ka fituar tre tituj kampion me tre skuadra të ndryshme. Pasi kreu misionin për të mbajtur në Superligën shqiptare ekipin e Egnatias, Zeko ka shkëputur bashkëpunimin me ekipin e Rogozhinës, pasi tashmë ka gjetur akordin me drejtuesit e Gjilanit. Zyrtarizimi mbetet çështje ditësh, me Ramadanin që praktikisht kthehet në kampionatin ku ka dalë kampion me secilin ekip që e ka drejtuar. Pikërisht titulli kampion është qëllimi kryesor i drejtuesve të Gjilanit, që sezonin e shkuar investuan shumë dhe ishin rival deri në pak xhiro para fundit kur humbën garën me Ballkanin e Suharekës. Gjilani do të jetë skuadra e katërt që do ta drejtojë Zekiria Ramadani në futbollin e Kosovës, pas aventurave të suksesshme me Trepçën 89, Feronikelin dhe Prishtinën, ndërsa ka punuar edhe me Flamurtarin e Vlorës në Shqipëri dhe klubin amë FC Shkupin.


