Sezoni shumë pozitiv me Struga Trim&Lum ka bërë që skuadra kampione e vendit tonë, FC Shkupi të hidhet në tentativë për të firmosur me Bunjamin Shabanin. Kumanovari ishte ndër mesfushorët më të mirë të sezonit të shkuar në elitën e futbollit vendorë dhe krejt natyrshëm duket interesi nga bardhekaltërit. Më të mirët mund të përforcohen vetëm me më të mirët dhe drejtuesit e FC Shkupit vlerësojnë se afrimi i Shabanit do të riste nivelin e cilësisë në skuadër para ndeshjeve të Europës dhe sezonit të ardhshëm. Shabani momentalisht është lojtar i lirë, pasi fundi i sezonit nënkuptonte edhe skadim të kontratës së tij me Struga Trim&Lum. Struganët me çdo kusht duan ta mbajnë në ekip, por ndërkohë në adresë të tij mbërijnë oferta serioze nga vendi, Kosova, Shqipëria dhe Kazakistani, me Shkupin që po “shtyp” seriozisht për ta bërë të vetin mesfushorin cilësorë.


