L’Equipe publikon bilancin e PSG. Sipas gazetës franceze, klubi i sheikëve ka dalë me humbje për një shifër që shkon në 370 mln euro. Një shifër që shpjegohet duke përfshirë kontratën e Kylian Mbappe-s.

E përditshmja sportive franceze raporton se me disa rregullime të vogla, ky deficit prej 370 milionësh do të shfaqet kur llogaritë për vitin financiar 2021-2022 të finalizohen brenda pak javësh.
UEFA, sipas një specialisti financiar të cituar nga L’Equipe, autorizoi klubin për ta bërë këtë, duke ditur se sezoni aktual shënon fillimin e një cikli të ri trevjeçar në të cilin do të hyjë në fuqi kuadri i ri financiar i kontrollit të Fair Play, i cili synon të sigurojë drejtësi ndërmjet klubeve europiane.
Përkundrejt kësaj, kampionët e Francës patën të ardhura rekord me 700 milionë euro. Në vitin aktual financiar, këto të ardhura duhet të rriten edhe një herë dhe të kalojnë 800 milionë euro.
PSG do të duhet të rregullojë llogaritë e saj gjatë tre sezoneve të ardhshme deri në verën e vitit 2025, që në praktikë do të thotë një deficit maksimal prej 60 milionë eurosh në të ardhura neto.

