Me paraqitjen fantastike që bëri në sfidën e fundit ndaj Juventusit të cilën Verona e fitoi me shifrat 2-1, Marash Kumbulla e ka rritur akoma më shumë vlerën e tij në merkato.
Sipas mediave italiane dhe më konkretisht Gazzetta Dello Sport, Kumbulla tashmë vlerësohet 30 milionë euro dhe për të marrë shërbimet e tij ka nisur një luftë e ethshme mes klubeve më të mëdha të Europës.
Për momentin Napoli është klubi i vetëm që ka bërë hapa konkretë për 20-vjeçarin shqiptar duke i ofruar Veronës 21 milionë euro plus 4 të tjera në formë bonusi. Interi e pëlqen shumë kuqeziun dhe me siguri në verë Marotta dhe Ausilio do ta bëjnë një tentativë për të firmosur me Kumbullën.
Të njëjtën gjë do të bëjë edhe drejtori sportiv i Juventusit Fabio Paratici, ndërkohë që Kumbullën interesohen edhe Dortmund e Manchester United, me Veronan që do të tentojë të përfitojë 30 milionë euro nga shitja e tij.
