Derisa elita e futbollit vendor ka “shkelur” tre xhiro dhe mesjava sjell raundin e katërt, merkatoja vazhdon të jetë e hapur dhe lëvizjet mbeten aktualitet. Voska Sport si anëtare e re e Ligës së Parë të dielën ndaj Vardarit mori fitoren e parë (3:2) në elitë dhe avash kap rritmin e dëshiruar, mirëpo vazhdimin e kampionatit duhet ta menaxhojë pa lojtarin më të mirë, Behar Feta.

Fatmirësisht bëhet fjalë për një transferim ndërkombëtarë, pasi sulmuesi anësorë kalon te gjigandi slloven, Maribori. Zyrtarizimi nga ekipi slloven pritet së shpejti, derisa 20 vjeçari është përshëndetur tashmë me ish-bashkëlojtarët dhe stafin e Voska Sport.
Super transferim dhe punë e shkëlqyer nga ekipi nga Ohri, apo më konkretisht nga drejtori sportiv i Voskës, Artan Borova. Strugani është personi përgjegjës për ekipin e parë dhe bashkë me pronarin Nefi Useini, arkitekt i ngritjes së Voskës në shoqërinë e më të mirëve, ndërsa tashmë duke lënë pas vetes edhe transferimin e parë në nivel ndërkombëtarë.

Një djalosh i panjohur në futbollin elitar dhe me moshë relativisht shumë të re u mor nga Shkëndija e Tetovës ku luante me kategoritë e reja. Voska i besoi formacionin, duke i ofruar kujdes e durim për ambientim me futbollin e të rriturve. Shpërblimi nuk mungoj dhe Feta sezonin e shkuar ishte golashënuesi më i mirë i Ligës në arritjen historike të Voskës dhe inkuadrimin në Ligën e Parë. Drejtori Borova ishtë më i kënaquri, sepse besimi i tij ndaj Fetës po sillte efekt dhe tashmë djaloshi që kishte nisur me futboll te Fortuna e Hasanbegut ishte në “tefterët” e agjentëve e klubeve të ndryshme të jashtme.
Mirëpo edhe kjo situatë do të menaxhohej shkqyeshëm nga Artan Borova që analizoi me maturi çdo ofertë dhe duke zgjedhur me kujdes propozimet e idetë e agjentëve, vendosi të avansonte bisedimet me Mariborin. Epilogu dihet, Behar Feta transferohet në Slloveni, ndërsa bashkë me kompensimin material në emër të dëmshpërblimit, Voska Sport regjistroi transferin e parë ndërkombëtarë. Diçka që zen vend të rëndësishëm në planet e Voskës, pasi bashkë me afrimet dhe përforcimin e skuadrës, gjithmonë qëllim mbetet edhe plasimi i talentëve në klube e liga më të avansuara nga ku do të kthehet një pjesë e investimit.
Fillimi duket pozitiv, e ardhmja do të tregojë nëse gjërat do të shkojnë si duhet.
Deri tani, bravo Voska dhe bravo Nefi Useini. Bravo për investimet dhe besimin ndaj drejtorit Artan Borova, i cili duket se po dëshmohet si vizionar në sportin e futbollit.

