Ashtu siç është përfolur në javët e fundit, UEFA sot ka bërë të ditur idenë për zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni në Ligën e Kampioneve dhe Liga Evropa. Në mbledhjen e sotme të Komitetit Ekzekutiv të Shtëpisë së futbollit Europian, është marrë vendim që 1/8 e finales së Çampionsit të zhvillohet me 7 dhe 8 gusht në qytetet përkatëse me ndeshjet e mbetura si Juventus-Lion, Barcelona-Napoli, Mançester Siti-Real Madrid dhe Bayern-Çelsi. Më pas ndërmjet datave 12 dhe 23 gusht do të luhet “Fajnëll ejt” në Lisbonë, me çerekfinalet dhe gjysmëfinalet, ndërsa finalja është përcaktuar për më 23 gusht.

Ndërkohë Liga Europa do të zhvillohet në Gjermani. Inter-Getafe dhe Roma-Sevilja në ndeshje të vetme, ndërsa të tjerat do të luajnë vetëm fazën e kthimit të 1/8ve në qytetet përkatëse. “Fajnëll ejt” do të zhvillohet ndërmjet datave 10 dhe 21 gusht në 4 qytete të Gjermanisë si Duisburg, Gelsenkirçen, Frankfurt dhe Koln. Superkupa e Europës është përcaktuar për më 24 shtator në Budapest.

