Humbja e rëndë ndaj Arsenalit (3- 0) e ka tronditur Realin e Madridin dhe e ka vendosur trajnerin e klubit të bardhë në qendër të vëmendjes. Trajneri italian, i cili deri vonë mbështetej në suportin praktikisht unanim nga klubi dhe tifozët, tani po përjeton një nga momentet e tij më të vështira që nga rikthimi i tij në stolin e Realit të Madridit në vitin 2021.

Dhe java e ardhshme, pa dyshim, mund të jetë vendimtare. Tekniku i “los blancos” po luan më shumë se vetëm një gjysmëfinale: ai po luan për besueshmërinë e projektit të tij dhe ndoshta pozicionin e tij në skuadër në sezonin e ardhshëm.
SKUADËR JO SOLIDE – Një nga kritikat më të mëdha ndaj Ançelotit është dështimi i tij për ta bërë skuadrën të funksionojë si një njësi e vetme. Gjatë gjithë sezonit, Madridi ka shfaqur dobësi shqetësuese midis linjave, me shumë shkëputje midis mbrojtjes dhe mesfushës dhe presingun e dobët që e ka vënë në vështirësi përballë kundërshtarëve e mirorganizuar dhe të përgatitur fizikisht si Arsenali i Artetës. “Ne nuk kemi qenë kompakt gjatë gjithë sezonit”, tha Ançeloti pas humbjes në “Emirates”. “Ne nuk jemi një skuadër e ekuilibruar, por kemi shumë cilësi përpara”, tha ai një javë më parë, pasi siguroi një vend në minutën e fundit në finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Sociedad. Karleto e ka parë këtë gjatë gjithë sezonit, por ai nuk e ka gjetur çelësin dhe tani ka humbur njëmbëdhjetë ndeshje në këtë sezon. Nëse i krahasojmë me dy të vitit të kaluar… diferenca është e jashtëzakonshme.
PA IDENTITET QË NGA LARGIMI I KROS – Kësaj i shtohet edhe mungesa e identitetit me topin. Që nga largimi i Toni Krosit, skuadra ka humbur busullën e saj në orientim dhe në ekzekutimin e lojës. Ançeloti nuk ka arritur të gjejë një zëvendësues, që mund ta plotësojë atë rol me të njëjtën qartësi dhe Madridi ka filluar të mbështetet në shkëndija individuale dhe jo në një model kolektiv. Vetëm Luka Modriç dhe Dani Sebajos kanë dhënë shenjat e duhura gjatë fazave të ndryshme të sezonit. Por obsesioni i trajnerit për të kontrolluar kohën e lojës së kroatit dhe dëmtimi i fundit i Sebajos, përfundimisht kanë funksionuar kundër tij. Lajmi i mirë, duke parë përpara rikthimin, është se Sebajos do të jetë në skuadër për ndeshjen e kthimit kundër Arsenalit dhe ka një shans për të nisur nga minuta e parë.
NDRYSHIMET DHE RROTACIONET – Një aspekt tjetër që gjeneron kritika është menaxhimi i ndeshjeve nga stoli. Ançeloti tenton të marrë shumë kohë për të lëvizur ekipin e tij (zëvendësimet), edhe kur kërkohen ndryshime urgjente, siç ndodhi kundër Arsenalit. Në disa raste, ai ka lënë të pashfrytëzuara të gjitha zëvendësimet e disponueshme, duke humbur mundësitë për të lëvizur gjërat ose për të pushuar lojtarët dukshëm të lodhur. Lojtarë si Endrik dhe Gyler janë të parëndësishëm në këto ndeshje dhe lojtarët më me përvojë si Brahim nuk janë protagonistë.
PËRGATITJA FIZIKE – Edhe rënia fizike dhe teknike e një pjese të madhe të skuadrës e rëndon situatën. Shumë lojtarë janë larg nga forma më e mirë e tyre, gjë që ushqen ndjenjën e një ekipi të mangët në ide, këmbë dhe bindje. Me mungesën e shkëndijës në pjesën e përparme, të mungesës së qëndrueshmërisë në pjesën e pasme dhe mungesës së kontrollit në mes, Madridi duket si një skuadër e humbur në ndeshjet kryesore: ata tashmë kanë humbur pesë ndeshje në Ligën e Kampionëve. I gjithë ky koktej problemi ka hapur edhe një herë debatin për vazhdimësinë e trajnerit italian. Nëse skuadra nuk arrin ta kthejë ndeshjen kundër Arsenalit javën e ardhshme në “Bernabéu”, e ardhmja e saj mund të rrezikohet seriozisht. Sepse ndjesia është se, përtej rezultatit specifik kundër Arsenalit, projekti po humbet fuqinë. Njëmbëdhjetë humbjet, vendi i dytë në La Liga, katër pikë pas Barçës, vuajtja në Kupën e Mbretit dhe humbja 3-0 në “Emirates Stadium” në Champions flasin për një skuadër që ka humbur soliditetin këtë vit.

