Sulmuesi i ri i Shkëndijës Vebi Islami transferohet te Voska Sport

Sulmuesi i ri premtues nga Tetova, Vebi Islami, është bërë pjesë e ekipit të Voska Sport, duke kaluar nga Shkëndija e Tetovës, ku ka qenë një ndër lojtarët më të spikatur të gjeneratës U19.

18-vjeçari, i cili ka kaluar të gjitha grupmoshat te kuqezinjtë, është dalluar si një sulmues i talentuar dhe golashënues i rregullt. Islami ka qenë pjesë e përfaqësueseve të reja të Maqedonisë së Veriut dhe ka bërë një progres të vazhdueshëm në karrierën e tij. Gjatë sezonit të fundit, ai ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Shkëndijës U19, duke përfunduar si golashënuesi më i mirë i Ligës së Juniorëve, me 10 gola, një rezultat që e ndau me Ivanovin e Bregallnicës dhe Spasovin e Brerës.

Islami ka stërvitur rregullisht me ekipin e parë të Shkëndijës dhe është aktivizuar në disa ndeshje miqësore, ku arriti të shënojë edhe një gol, duke dëshmuar potencialin e tij për t’u bërë një sulmues i rëndësishëm në të ardhmen.

Tani, ai i është bashkuar Voska Sportit dhe do të jetë pjesë e përgatitjeve të ekipit në Antalia, ku pritet të integrohet me skuadrën dhe të ndihmojë ekipin në pjesën pranverore të kampionatit. Transferimi i tij pritet të zyrtarizohet së shpejti nga klubi i Voska Sport.

Ky hap përfaqëson një mundësi të madhe për Islamin që të tregojë vlerat e tij në një ambient të ri, ndërsa Voska Sporti përfiton një lojtar të talentuar që premton shumë për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close