Me vendim të Këshillit Komunal të Likovës, stadiumi i futbollit në Orizare, shtëpia e klubit KF Vllaznimi Orizare, prej sot do të mbajë emrin e ish kryetarit të Komunës së Likovës, Vaid Saiti.

Ky vendim u mor në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij të madh në sport dhe në zhvillimin e Orizares. Vaid Saiti ishte një ndër bashkëthemeluesit e klubit në vitin 1972, pjesë e gjeneratës së parë të futbollistëve të Vllaznimit, si dhe kontribuues i rëndësishëm në ndërtimin e stadiumit.
Me emërtimin e stadiumit me emrin e tij, ruhet dhe nderohet figura e një njeriu që la gjurmë të veçanta në historinë e klubit dhe të komunës së Likovës.
Sot u mbajt edhe ceremonia zyrtare, ku u shpalos pllaka me emrin e ri të stadiumit, në praninë e përfaqësuesve komunalë, qeveritarë, sportistëve dhe banorëve të zonës.






