Skandali me moshën e lojtarëve: TV Globi denoncon “manipulimet” në futbollin e fëmijëve, reagon edhe Argjend Beqiri

Futbolli i moshave në Maqedoninë e Veriut po përballet me një fenomen shqetësues që po vret garën e ndershme dhe po dëmton rritjen e talenteve të reja. Media rajonale TV Globi ka publikuar disa pamje që hedhin dyshime të forta mbi vërtetësinë e moshës së lojtarëve në turne të caktuar, ku fiziku i disa fëmijëve bie ndesh me kategorinë ku ata garojnë.

Në postimet e tyre me tone ironike, TV Globi pyet nëse lojtarët “misteriozë” janë vërtet 9, 10 apo 12 vjeç, duke aluduar se rezultatet po parashkruhen në prapaskenë dhe jo në fushën e blertë. “Duket sikur futbolli nuk luhet më në fushë, por në prapaskenë… Rriten fëmijët me ëndrra, ndërsa të rriturit i shndërrojnë në skenarë të parashkruar”, thuhet në reagimin e tyre që u bë shpejt viral.

Reagimi i legjendës: Argjend Beqiri kërkon korrektësi
Kësaj problematike nuk ka mundur t’i qëndrojë indiferent as legjenda e futbollit në Maqedoni, Argjend Beqiri. Përmes një komenti, ai ka kërkuar nga organizatorët dhe trajnerët që të kenë fokusin te edukimi dhe kënaqësia e fëmijëve, e jo te rezultati me çdo kusht.

Nuk dmth gjatësia e portierit, ka raste të tilla në futboll, por për korrektësi dhe fer-plej, organizatori duhet t’i identifikojë të gjithë fëmijët që garojnë. Për fat të keq, disa trajnerë duan vetëm fitore… Në këtë moshë nuk kërkohen rezultatet, por emocionet dhe kënaqësia”, ka shkruar Argjend Beqiri, duke bërë thirrje që këto gabime të përmirësohen në të ardhmen.

Ky denoncim i TV Globit nxjerr në pah nevojën urgjente për një kontroll më të rreptë të dokumentacionit në turnetë e fëmijëve, në mënyrë që talenti të mos humbasë përballë “matrapazllëqeve” të moshës, që po kthehen në një kancer për sportin e moshave

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close