Real Madridi, një makinë fituese si kurrë më parë në histori

Shtatë ndeshje në Champions League dhe shtatë fitore në këtë sezon. Reali i Madridit ka vijuar në Lajpcig (Gjermani) me rrugën triumfuese që nisi në Evropë më 20 shtator, kur edicioni aktual i kompeticionit më të lartë kontinental filloi me një fitore të shumëvuajtur kundër Unionit të Berlit në “Bernabeu”.

Kjo fitore ishte e para në fazën e grupeve që “los blancos” e përfunduan duke e kompletuar me sukses të plotë, pasi arritën një total fitoresh: gjashtë nga gjashtë. Skuadra e Ançelotit nuk ka ndër mend të ndalet dhe e ka nisur dhe fazën e eliminimeve direkte me një sukses, edhe ky i vuajtur dhe me polemika përballë Lajpcigut. Trajneri Karlo Ançeloti ka deklaruar se çështja e kualifikimit ende nuk mund të quhet e mbyllur pavarësisht avantazhit të marrë në Gjermani në mesjavë.

Megjithatë, ai dhe të gjithë e dinë fare mirë se vendi në çerekfinale duket i padiskutueshëm. Sepse që dikush ta mund në “Bernabeu” duhet të bëjë një mrekulli. Në këtë sezon, “los blancos” numërojnë vetëm dy barazime në tempullin e tyre. Por suksesi në Lajpcig, me një skuadër pa mbrojtje konfirmon dhe njëherë jo vetëm se Reali është favorit për të shkuar në çerekfinale, por gjithashtu që Madridi është një kandidat i qartë për titullin në Europë.

MAKINË FITUESE – Suksesi i arritur në Ligën e Kampioneve kundër Lajpcigut i ka shërbyer edhe për një tjetër rekord Realit të Ançelotit. Me fitoren në Gjermani, Reali e ka çuar në 29 numrin e sukseseve në këtë sezon në takime zyrtare nga 35 ndeshje të luajtura gjithsej. Madridi ka numëruar katër barazime dhe vetëm dy humbje në shtatë muaj garë, të dyja me Atletikon e Madridit, në derbin e shtatorit në La Liga dhe janarin e kaluar në Kupën e Mbretit.

Suksesi më i fundit në Champions nënkupton thyerjen e një rekordi historik në këtë pikë të sezonit, duke tejkaluar 28 fitoret që pati në sezonet 2011-2012, 2013- 2014 dhe 2014-2015. Një llogari rezultatesh që i lejon ata të kenë tashmë një titull në xhep (Superkupa), të jenë lider në La Liga me një avantazh të qartë dhe të kenë një këmbë e gjysmë në çerekfinalet e Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close