Prokuroria e Luzernit ka nisur procedurë penale ndaj kapitenit të Përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, lidhur me dyshimet për një certifikatë të parregullt të vaksinimit kundër COVID-19.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, autoritetet po hetojnë nëse Xhaka ishte vaksinuar realisht apo nëse certifikata ishte lëshuar në mënyrë të parregullt.
Rasti lidhet me një mjeke në Luzern, ordinanca e së cilës ishte kontrolluar nga policia në vitin 2023, ku ishin sekuestruar materiale që tashmë janë pjesë e hetimit.
Xhaka i ka mohuar akuzat. Përfaqësuesi i tij, Andreas Bantel, ka deklaruar se futbollisti posedon dokumentacion nga mjekja që dëshmon se është vaksinuar dy herë, më 25 janar dhe 11 nëntor 2022.
33-vjeçari pritet të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit.
Prokuroria ka theksuar se hetimi synon të përcaktojë nëse ka pasur shkelje penale në lidhje me certifikatën, ndërsa për Xhakën dhe mjeken vlen prezumimi i pafajësisë. /IndeksOnline/

