Pak minuta më parë, Eredivisie e Holandës ka vendosur të anulojë krejtësisht sezonin aktual, duke bërë që në Holandë të mos ketë kampion.

Vendimi i KNVB ishte që të mos ketë kampion, të mos ketë të rënë nga liga, të mos promovohet asnjë skuadër.
Renditja aktuale e tabelës do të shërbejë për klasifikimin e skuadrave që do të marrin pjesë në garat evropiane.
Ajax e AZ Alkmaar do të garojnë për një vend në Ligën e Kampionëve, kurse Feynoord siguron një vend direkt në Ligën e Evropës, duke lënë PSV Eindhoven dhe Willem II në garat kualifikuese.
Vendimi i KNVB për Eredivisie, ishte krejtësisht në kundërshtim me sugjerimet që ka dhënë UEFA më përpara.
UEFA sugjeronte që përzgjedhjet të bëhen në bazë të meritave sportive, qoftë për skuadrat që do të garojnë në Ligën e Kampionëve, por edhe për vendimin sa i përket titullit të kampionit.
Precedani i vendosur nga Eredivisie mund edhe të arsyetohet. Ligën printe skuadra e Ajax Amsterdam, me pikët e barabarta me skuadrën e AZ Alkmaar, por me goldiferencë më të mirë. Por, në anën tjetër, Alkmaar kishte fituar në të dy ndeshjet direkte kundër kampionëve në fuqi. Titulli i kampionit mbeti i pavendosur.
Por, si do të ndikojë kjo për skuadrën e Liverpool, nëse hipotetikisht do të anulohet sezoni i Premierligës?
FA do të ketë përpara dy zgjidhje për skuadrën e ‘Reds’, që këtë sezon ishin thjeshtë të pandalshëm në kampionatin anglez.
Sugjerimet e UEFA mbi meritat sportive, padyshim se do ta kurorëzonin Liverpoolin me titullin e kampionit. Madje, këtë nuk e mohojnë as kundërshtarët direkt (shembulli i Bernardo Silva).
Megjithatë, precedani i vendosur nga Holanda u jep një mundësi drejtuesve të FA që të veprojnë në formë të njëjtë, në rast se sezoni anulohet. Rasti për vendimin që të mos ketë skuadra të rëna nga liga, as të promovuara, ndihmon jashtëzakonisht shumë për ecurinë e rregullt të sezonit pasues.
Duhet pasur parasysh faktin se sugjerimi kryesor i UEFA është që të përfundohen sezonet në fusha të blerta. Por, në rast se qeveria e Johnson merr vendim për masa të shtuara (sikur në Holandë që u vendos të shtyhen masat deri më 1 shtator) dhe Premierliga merr vendim për anulim sezoni, atëherë në tavolinë do të ketë dy opsione për FA. Sugjerimet e UEFA dhe titulli i kampionit për Liverpool, apo precedani i Eredivisie dhe një sezon krejtësisht i pavlefshëm, por që ndihmon ecurinë e sezonit pasues. /Lajmi.net/

