Përplasje mes zv/ministres së Sportit dhe sportistëve elitarë, Berat Jakupi reagon fuqishëm: “Emri im në listë, por pa përfituar asgjë”

Një debat i nxehtë është hapur në opinionin sportiv në Maqedoninë e Veriut pas postimit të zëvendësministres së Sportit, Safije Sadiki Shaini, e cila publikoi një listë të sportistëve shqiptarë që, sipas saj, janë shpërblyer dhe dekoruar ndër vite nga shteti. Në mesin e tyre, ajo përmendi edhe ish-kampionin evropian në karate, Berat Jakupi.

Por reagimi i Jakupit nuk vonoi. Në një postim në rrjete sociale, ai hodhi poshtë pretendimin e zv/ministres, duke deklaruar se nuk ka përfituar asnjë pension sportiv, pavarësisht rezultateve të tij të larta ndërkombëtare.

Unë nuk jam përfitues i asnjë lloj pensioni sportiv, pavarësisht se për vite me radhë kam përfaqësuar me dinjitet Maqedoninë e Veriut, duke fituar medalje në kampionate evropiane dhe botërore në karate,” shkruan Jakupi. Ai e quajti gjendjen një padrejtësi të madhe që prek jo vetëm atë, por edhe shumë sportistë shqiptarë të anashkaluar nga institucionet shtetërore.

Postimi i zv/ministres theksonte se mungesa e sportistëve shqiptarë në ceremoninë e fundit të shpërblimeve për sportet kolektive nuk ishte e qëllimshme, duke përmendur se “kriteri ishte kampionë Europe dhe Bote me ekipet e tyre”, një arritje që, sipas saj, sportistët shqiptarë në ato disiplina nuk e kanë realizuar deri më tani.

Megjithatë, publikimi i emrave të sportistëve që “kanë përfituar” pension sportiv, pa konfirmuar nëse kjo është e realizuar praktikisht, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe drejtësinë e procesit të shpërblimeve shtetërore në sport.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close