Pasojat e sezoneve pa trofe, largime trajnerësh dhe yjesh nga Reali

Florentino Perez është presidenti më i suksesshëm në historinë e Real Madridit për nga numri i trofeve. Në dy periudhat e tij në krye të klubit, skuadra e futbollit ka fituar 37 tituj, përfshirë shtatë Liga të Kampionëve, shifër që përbën rreth 30 për qind të gjithë trofeve të klubit.

Megjithatë, kjo statistikë nuk pritet të rritet në sezonin 2025/26. Në “Valdebebas” ekziston bindja se ekipi ka mjaftueshëm cilësi për të mos e mbyllur vitin duarbosh, por realiteti po shkon drejt një sezoni pa asnjë trofe – gjë që ka shtuar pakënaqësinë e presidentit me ecurinë e përgjithshme.

Që nga marrja e detyrës në qershor të vitit 2000, ky do të jetë sezoni i pestë (nëse konfirmohet) që Real Madridi mbyllet pa trofe nën presidencën e Florentinos. Dhe historia tregon se çdo sezon i tillë ka sjellë pasoja të mëdha: ndryshime të trajnerëve, fund projektesh dhe lamtumira të emrave të mëdhenj.

2004/05 – “Rënia” e Galaktikëve

Projekti “Galactico” kishte hyrë në krizë. Carlos Queiroz nuk funksionoi, ndërsa sezoni pasues nisi me Jose Antonio Camachon, por ai qëndroi vetëm tri ndeshje. Real Madridi u drejtua më pas nga Garcia Remon dhe Vanderlei Luxemburgo, por përfundoi pa asnjë titull dhe larg objektivave.

2005/06 – Dorëheqja e Florentinos

Luxemburgo nuk e shpëtoi projektin as sezonin tjetër. Më pas erdhi López Caro, por situata u përkeqësua dhe në fund të shkurtit 2006, kur Florentino Pérez dha dorëheqje, duke i dhënë fund asaj faze të “Galaktikëve”.

2009/10 – Rikthim i hidhur

Florentino u kthye në presidencë dhe e nisi epokën e dytë me transferime gjigante: Cristiano Ronaldo, Leite Kaka dhe karim Benzema, si dhe me Xabi Alonso, Alvaro Arbeloa e Raul Albiol. 

Trajner u emërua Manuel Pellegrini, por sezoni u mbyll pa trofe. Pasojat ishin të menjëhershme, u afrua José Mourinho, ndërsa dy ikona si Raul dhe Guti u larguan nga klubi.

2020/21 – Lamtumirat e Zidane dhe Sergio Ramos

Pas një periudhe shumë të suksesshme ku Reali thuajse gjithmonë fitonte trofe, erdhi sezoni i pandemisë pa titull. Real Madridi humbi garën për La Liga deri në fund, u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe doli nga Kupa e Mbretit në shtëpi.

Më pas u larguan dy figura madhore, Zinedine Zidane dhe kapiteni Sergio Ramos.

2025/26 – “Po tani çfarë?”

Pas rikthimit të Ancelottit, Real Madridi fitoi tituj të rëndësishëm, por sezonin e fundit erdhën vetëm dy trofe “ngushëllimi” (Superkupa Evropiane dhe Kupa e Botës për Klube). 

Ancelotti u largua, u provua Xabi Alonso, dhe më pas erdhi Álvaro Arbeloa, por sezoni aktual po shkon drejt përfundimit pa trofe – përveç nëse ndodh një mrekulli në La Liga.

Brenda Real Madridit, precedentët janë të qartë. Te Florentino, sezonet pa trofe zakonisht nënkuptojnë vendime të ashpra, sidomos në bankinë. Dhe sipas panoramës aktuale, Arbeloa vështirë se do ta ketë “shansin e dytë” që në të kaluarën iu dha vetëm në raste të rralla disa trajnerëve. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close