Lillestrom dhe Valerenga janë dy nga klubet më të mëdha dhe tradicionalë të futbollit norvegjez dhe edhe rivaliteti mes tyre është i jashtëzakonshëm. Është një derbi pasi Valerenga është e Oslos dhe Lillestrom ndodhet shumë pranë kryeqytetit norvegjez.

Në takimin e fundit fitoi 2-0 Lillestrom që është para në klasifikim me rivalët edhe pse mban vetëm vendin e 6 në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit norvegjez pas 25 javësh, por ishte një episod i veçantë ai që tërhoqi vëmendjen.
Imazhe të pabesueshme për futbollin norvegjez. Trajneri Geir Bakke shkonte me klubin e tij Valerengën për të luajtur kundër ish skuadrës së tij pikërisht Lillestrom. Bakke pati një pritje shumë armiqësore, kur hyri në fushë u vërshëllye por gjëja më e keqe ishte një banderolë që u shfaq në tribunën e tifozëve pak para pushimit.
Në banderolën që u var sipër tunelit që të çon në dhomat e zhveshjes shfaqej një njeri i vizatuar si mi i varur në litar dhe me një tufë parash në dorë, duke aluduar kështu për trajnerin, me tifozët e Lillestrom që thërrisnin ” pas ndeshjes do të vdesësh”.


