FC Shkupi në xhiron e 11-të të elitës mundi Bregallnicën në Kumanovë falë golit të Darko Ilievskit. Për këtë duel vlerësimin e tij për kanalin zyrtarë të Shkupit e ka dhënë trajneri Mlladen Zhizhoviç, i cili ka thënë se ishte ndeshje e vështirë, por që tri pikët janë shumë të rëndësishme.
“Një ndeshje e vështirë, në pjesën e parë ishim shumë të dobët, shënuam gol nga një aksion i punuar mirë dhe më pas ia lëshuam lojën kundërshtarit, të cilët absolutisht kanë merituar edhe të barazonin. Por në pjesën e dytë kishim disa situata për ta vendosur ndeshjen dhe duhej që të shënonim dhe të shtonim epërsinë në 2-0 që të ishim më të qetë në fund. E uroj ekipin për fitoren që ishte shumë e rëndësishme për tri pikë dhe për të mbetur në serinë pozitive, që do të jetë e rëndësisë së madhe që në vazhdim të sezonit të mbesim në kreun e tabelës”, ka thënë Zhizhoviq.
Ndeshjen e radhës Shkupi e luan të mërkurën në kuadër të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku për kundërshtar të 1/8 së finales do ta ketë Ohrin.
