Mirvete Misini, talentja 11-vjeçare që po shkëlqen në Gjermani

Në moshën vetëm 11-vjeçare, Mirvete Misini po dëshmon se talenti dhe puna nuk njohin moshë. E lindur në Kumanovë, ajo aktualisht luan për klubin SV Büderich në Gjermani, ku ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e saj të shkëlqyera.

Ajo luan si sulmuese e krahut të majtë, por gjithashtu mund të luajë me sukses edhe në pozitën e sulmueses së qendrës. Me shpejtësinë, teknikën dhe instinktin për gol, Misini është bërë një nga futbollistet më premtuese të grupmoshës së saj.

Gjatë këtij sezoni, në 17 ndeshje të zhvilluara, ajo ka realizuar 33 gola, duke u renditur si golashënuesja e dytë më e mirë e ligës në kategorinë e saj.

Talenti i saj nuk ka kaluar pa u vënë re. Ajo ka marrë pjesë në aktivitete dhe prova me akademitë e njohura gjermane Schalke 04 dhe MSV Duisburg, duke fituar përvojë të vlefshme dhe duke treguar potencialin e saj në nivele të larta.

Një tjetër dëshmi e cilësive të saj është fakti se nga sezoni i ardhshëm do të garojë me grupmoshën U15, edhe pse është vetëm 11 vjeçe, gjë që tregon besimin që trajnerët kanë në aftësitë e saj.

Endrra e Mirvetes është të arrijë sa më lart në futboll dhe një ditë të veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës ose të Shqipërisë. Me talentin dhe përkushtimin që po tregon çdo ditë, ajo është në rrugën e duhur për ta bërë realitet këtë ëndërr.

Emri i Mirvete Misinit pritet të dëgjohet gjithnjë e më shumë në futbollin evropian në vitet që vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close