Bundesliga po shihet si një shembull i mirë për protokolin që ka vendosur të ndjekë, sa i përket rikthimit në fushat e blerta.

Në kampionatin gjerman nuk do të izolohen komplet skuadrat por vetëm lojtarët që infektohen me koronavirus. Ndonëse në pamje të parë duket plan i mirë, lojtarët kanë filluar ta kundërshtojnë këtë.
Mesfushori i Koln, Birger Verstraete, e ka cilësuar si bizare që skuadra të stërvitet, edhe pasi tre veta në atë skuadër rezultuan pozitiv në Covid-19 gjatë së premtes.
“Ajo që klubi njoftoi, se askush nuk ka qenë në kontakt me lojtarët, është korekte, nëse e shohim literalisht, ashtu është”, ka thënë Verstraete, transmeton lajmi.net.
“Por, fizioterapeuti është njeriu që më trajton mua dhe lojtarët tjerë tash e disa javë. Dhe unë përbëj një dyshe në palestër, me njërin nga lojtarët në fjalë. Kështuqë, nëse themi në përgjithësi se ne nuk kemi kontakt me ata mund të mos jetë korrekte”, ka shtuar mesfushori.
“Ne nuk jemi karantinuar dhe kjo është bizare. Për momentin, futbolli nuk është gjëja më e rëndësishme për mua sidomos sepse tashmë po afrohet shumë (virusi)”, ishin disa nga fjalët e 26 vjeçarit.
Koln ka njoftuar se stërvitjet e skuadrës do të mbahen sipas planit, pra duke filluar nga nesër (e hënë). /Lajmi.net/

