
Inter u rikthye me 3 pikë të plota nga transferta e Bernës, ku një gol i Turami i dhuroi 3 pikë skuadrës së Inzagit. Megjithatë në shtëpinë zikaltër, nuk ka kohë për të festuar, kjo pasi të dielën, në “San Siro” do të përqendrohet vëmendja e mbarë opinionit sportiv botëror, teksa do të vihet në “skenë” derbi i Italisë, Inter-Juventus.
Për Simone Inzagin, ka dhimbje koke, teksa disa prej titullarëve të tij nuk do të jenë në dispozicion të tij për këtë sfidë të rëndësishme. Kështu Çalhanoglu, Açerbi dhe Karlos Augusto, që kthehet shpesh herë në një alternativë të volitshme për Dimarkon gjatë ndeshjes, nuk do të jenë ndaj “bardhezinjve”.
Për momentin dyshimi i vetëm mbetet Kristjan Asllani. Mesfushori kuqezi shpreson të jetë i rikuperuar “last minute”, për të qenë i gatshëm pse jo që nga fillimi për Inzagin, që mund ta pozicionojë atë në “gabinën” e regjisë, për shkak të mungesës së turkut Çalhanoglu. Në rast se Asllani nuk i’a del, apo nëse nuk do të jetë në gjendje të luaj nga minuta e parë, atëherë do të jetë Barella ai që do të pozicionohet në qendër të mesit të fushës dhe Frattesi që do të luajë nga minuta e parë.