Nga ky sezon, Komisioni i Arbitrave pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut rregullisht jep raporte për cilësinë e arbitrimit në Ligën e Parë dhe të Dytë në vendin tonë. Kështu ishte edhe pas përfundimit të xhiros së 13-të në elitë, në të cilën nuk u konstatuan gabime të mëdha të arbitrave. Por, liderët aktual, Struga Trim Lum nuk u pajtuan me të njejtën dhe dolën me një reagim se ishin dëmtuar në duelin me Bregallnicën, duke aluduar se goli i parë i mysafirëve nuk ishte i rregullt. Ndërkohë sot ka ardhur edhe një reagim nga Komisioni i Arbitrave, të cilët e kanë sqaruar edhe njëherë analizën e golit të parë të Bregallnicës ndaj Strugës, në të cilën konstatohet se goli është i rregullt dhe se autori i golit, Gjorgjiev është mbrapa vijës në momentin kur pasohet topi nga shoku i skuadrës. Kujtojmë se ndeshja Struga – Bregallnica u mbyll me barazim 2:2.



