KF Kamjani ndodhet para ndeshjes më të rëndësishme në historinë e klubit. Kampionët e Ligës së Tretë, që vetëm pak javë më parë festuan titullin e parë pas 48 vitesh ekzistencë, sot kërkojnë të kompletojnë ëndrrën me inkuadrimin në Ligën e Dytë.

Para ndeshjes së balotazhit kundër Pobedës së Valandovës, klubi ka bërë thirrje për mobilizim të madh të tifozëve, duke organizuar grumbullimin dhe udhëtimin drejt Shtipit, ku do të zhvillohet përballja vendimtare.
“Sot shkojmë të bëjmë histori”, është mesazhi i tifozëve dhe klubit, që kërkojnë të mbështesin skuadrën në sfidën që mund të sjellë suksesin më të madh në historinë e KF Kamjanit.
Një fitore ndaj Pobedës do t’i siguronte skuadrës nga Pollogu promovimin historik në kategorinë e dytë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

