Dinorah Santana, ish-bashkëshortja e Dani Alves, ka vizituar futbollistin brazilian, i cili po mbahet në Barcelonë, i akuzuar për përdhunimin e një të reje në një klub nate dhe ka përsëritur besimin e saj në pafajësinë e brazilianit.

Në deklaratat e cituara nga gazeta ‘El Periódico’, Dinorah shpjegoi, se ajo nuk e pyeti ish-bashkëshortin e saj pse ai paraqiti disa versione për atë që ndodhi atë natë më 30 dhjetor të vitit të kaluar, në klubin e natës Sutton.
“Nuk e pyeta asgjë sepse e dimë se është i pafajshëm”. Dinorah tha se kanë folur për “për fëmijët dhe edukimin e tyre”, duke theksuar se situata “është shumë e ndërlikuar” për dy adoleshentët: “Duhet të keni parasysh që Dani ka familje, fëmijë, shpesh ajo që thuhet nuk është e vërteta dhe kjo rëndon mbi jetën e tyre”.
Dhe ajo shtoi: “Unë jam nënë, kur fëmijët vuajnë, nëna vuan. Por kjo që po ndodh është e keqe. Do të vërtetohet se ai është i pafajshëm dhe gjithçka do të jetë mirë”.
Dani Alves është arrestuar që nga mesi i janarit në Barcelonë, i akuzuar për përdhunimin e një vajze 23-vjeçare. Gjykata e hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes dhe e mbajti atë në paraburgim.

