Pas barazimit me ekipin e Makedonija GjP, Bashkimi ka mbetur pa trajner pasi u ndërpre bashkëpunimi me teknikun shkupjan, Muarem Muaremi.
Sulmuesi boshnjak i Bashkimit, Nedim Hoxhiq, beson se pavarësisht ndryshimit në stafin teknik, atmosfera në ekip mbetet shumë e mirë dhe se nga Gostivari do të kthehen me tri pikë.
“Shkojmë në ndeshje sa më të përgatitur që të jetë e mundur. Jemi të fokusuar në realizimin e qëllimit tonë, që janë 3 pikët. Edhe pse pati ndryshim trajneri, atmosfera në ekip është në nivel të shkëlqyer. Të gjithë lojtarët janë gati dhe mezi presin të fillojë ndeshja. Të gjithë duam t’i gëzojmë tifozët tanë dhe me ndihmën e Zotit, më në fund të festojmë”, deklaroi Nedim Hoxhiq.
Ndeshja e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave në Kumanovë përfundoi baraz (1-1). Takimi mes Arsimit dhe Bashkimit do të zhvillohet në stadiumin e Gostivarit, me fillim nga ora 13:30.
