Finalja e Kupës së Maqedonisë në hendboll për femra u mbyll me triumfin bindës të KHF Gjorçe Petrov, që mposhti KHF Çairin me rezultat të thellë 36:19, duke fituar kështu trofeun e 18-të në histori të këtij kompeticioni.

Për Çairin, kjo ndeshje finale erdhi vetëm një ditë pas një gjysmëfinaleje të lodhshme kundër Metalurgut, çka ndikoi në performancën e vajzave të trajnerit Basri Latifi. Me një fond të kufizuar në stol dhe mungesë freskie, skuadra nuk arriti të përballojë fuqinë e ekipit të Gjorçes, që dominoi në të dyja anët e fushës.
Pavarësisht humbjes, ky sezon mbetet më i suksesshmi në historinë e klubit nga Çairi, që përveç paraqitjeve të denja në garat evropiane, arriti deri në finalen e Kupës së shtetit.
Nga klubi Çairi falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme gjatë gjithë sezonit dhe premtuan se do të kthehen edhe më të forta në të ardhmen.

